15 vjet me IUCN
15 vjet me #IUCN / INCA e para anëtare e IUCN nga Shqipëria
Qysh nga Nëntori 2009, #INCA ka qenë dhe mbetet anëtar, partner i denjë dhe një bashkëpunëtor i suksesshëm me Bashkimin Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës (#IUCN). Ky bashkëpunim është forcuar dhe zgjeruar pasi INCA është institucion me histori mbi 20-vjeçare në fushën e ruajtjes së natyrës.
#IUCN krijuar në vitin 1948, përfaqëson një bashkësi unike përbërë nga organizata qeveritare dhe ato të shoqërisë civile. IUCN është aktive në mbarë botën, nga kërkimet dhe analizat te projektet me ndikim dhe politikat informuese. #IUCN i ofron organizatave publike, private dhe jo-qeveritare njohuritë dhe mjetet që mundësojnë njëkohësisht progresin njerëzor, zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e natyrës.
#IUCN është rrjeti mjedisor më i madh dhe më i shumëllojshëm në botë, që mbledh njohuritë dhe burimet e organizatave anëtare dhe të ekspertëve. Duke punuar me shumë partnerë dhe mbështetës, IUCN zbaton një portofol të madh dhe të larmishëm projektesh për ruajtjen e vlerave natyrore në mbarë botën. Për ne, #IUCN mbetet mbështetës dhe baza kryesore e të dhënave të ruajtjes, vlerësimit dhe analizat në fushëveprimin e natyrës, biodiversitetit, përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, peizazhit dhe të vlerave tradicionale, kulturore e historike.
Në këta 15 vjet partneritet e rrugëtim të përbashkët, kemi pasur mjaft sfida dhe suksese. Kemi hartuar dhe zbatuar projekte në nivel vendor, kombëtar dhe rajonal, dhe vazhdojmë një bashkëpunim të frytshëm. Me IUCN kemi prodhuar mjaft raporte, standarde, udhëzime, manuale dhe mjete. Njëherazi, kemi kombinuar shkencën më të fundit me njohuritë tradicionale të komuniteteve lokale për të rikthyer habitatet, llojet, për të rivendosur ekosistemet dhe për të përmirësuar mirëqenien e njerëzve.
Kërcënimi i veprimtarive njerëzore ndaj natyrës po rritet me ritme alarmuese dhe kjo vë në rrezik natyrën. Shqipëria nuk është përjashtim, me një peizazh të fragmentuar dhe në presion nga kërkesat konkurruese për tokën, ujin dhe burimet natyrore. Këto sfida i kemi vlerësuar përmes analizave dhe zgjidhjeve të mundshme, bazuar në Standardin Global të IUCN-së për Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë.
Përvoja jonë reflekton aftësinë për të punuar së bashku me grupet e interesit vendor, kombëtar dhe rajonal, për të rritur bashkëveprimin dhe shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira për biodiversitetin, zonat e mbrojtura dhe përdorimin e zgjuar të burimeve natyrore. Duke kontribuar dhe mbrojtur interesin e përgjithshëm dhe zbatuar parimet e mbrojtjes së natyrës.
Prioritet mbetet puna për ngritjen e vetëdijes publike përmes fushatave ndërgjegjësuese, që synojnë ndryshimin e qëndrimeve të politikë-bërësve, ligj-zbatuesve, biznesit dhe komuniteteve të gjera. Angazhimi i vazhdueshëm dhe forcimi i marrëdhënieve me IUCN dhe partnerët do të vijojë, pasi ky bashkëpunim ka ndihmuar INCA që të forcojë pozicionin e vet dhe të zgjerojë ndikimin dhe veprimtarinë e suksesshme në drejtim të ruajtjes së natyrës.
https://inca-al.org/sq/postimet/lajmet-e-fundit/15-vjet-me-iucn#sigProId74916ca0ba