Categoria principale: INCA
Visite: 382
Informacion
OShC-të shihen si forca lëvizëse për transformimin e shoqërisë. Disa OShC-të kanë potencial të mirë për të zhvilluar dhe për të mbrojtur interesat e shoqërisë. Megjithatë, për t'u përfshirë vërtet në hartimin e politikave të ruajtjes së natyrës, OShC-të duhet të rritin më tej kapacitetet dhe burimet e tyre. Ekzistojnë fusha sektoriale që nuk lidhen drejtpërdrejt me ruajtjen e biodiversitetit, të cilat mund të kenë ndikim të mundshëm edhe në ruajtjen e natyrës.
Udhëzimet e publikuara, nga Bashkimi Ndërkombëtar i Ruajtjes së Natyrës (IUCN), synojnë të ndihmojnë stafin dhe ekspertët e OShC-ve në angazhimin e tyre efektiv në përpjekjet kombëtare e lokale të ruajtjes së natyrës dhe të biodiversitetit dhe t'u ofrojnë atyre një mjet për dhënien e njohurive anëtarëve të tyre. OShC-të duhet të luajnë një rolaktiv dhe efektiv në planifikimin dhe zbatimin e masave të ruajtjes së natyrës dhe angazhimin e palëve të tjera të interesit për vendimmarrje koherente. Gjithashtu, udhëzimet synojnë të ndihmojnë OShC-të që të rrisin kuptimin e legjislacionit të BE-së për fushën e ruajtjes së natyrën dhe rolin që ata mund të luajnë në zbatimin e tij.
OSHC-të, duhet të formësojnë një mesazh bindës mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës, të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore për politikë bërësit, subjektet dhe komunitetin, por ne të gjithë mund të përfitojmë, duke mësuar nga përvojat e të tjerëve edhe nga mjetet që na ndihmojnë të mendojmë dhe veprojmë në mënyrë strategjike. Doracakun e shohim si një dokument të nevojshëm, për një dialog të vazhdueshëm, që do të ndihmojë të mësojmë, të kuptojmë dhe vijojmë të kapërcejmë sfidat e fushës së ruajtjes të natyrës dhe të biodiversitetit.
Duke shfrytëzuar përvojën e IUCN-së dhe të Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), doracaku i advokim-lobimit këshillon mbi praktikat më të mira, për të ndikuar proceset vendimmarrëse, për çështjet e natyrës dhe mjedisit, në nivel kombëtar dhe lokal.Doracaku nuk bën përpjekje për të mbuluar të gjithë procesin e advokim-lobimit në fushën e ruajtjes së natyrës, por paraqet disa udhëzime dhe praktikat më të rëndësishmet për mbrojtjen e natyrës.
Doracaku ofron disa praktika të mira ndërkombëtare, rajonale dhe vendore për hartimin e një strategjie, nëse Ju përpiqeni të ndikoni në politikat, strategjitë e sistemet kombëtare dhe lokale të ruajtjes së natyrës e mjedisit. Kësisoj, në doracak jepen edhe disa nga përvojat dhe aksionet e OShC-ve shqiptare për çështjet e promovimit e të ruajtjes së natyrës, të vlerave dhe përdorimit të burimeve natyrore, me theks mënyrat se si po shfrytëzohen lumenjtë, duke ndërtuar një numër të mëdhenjë HEC-ve.
Doracaku është hartuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian (BE), nëpërmjet programit “Mbështetje për kapacitet e Shoqërisë Civile” dhe zbatohet nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim me Bashkimin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile, për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”.