INCA njofton fituesit e grantit në kuadër të Programit të Mini-Granteve
NJOFTIM PËR SHTYP
Projekti – “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri” - (EuropeAid/155863/DD/ACT/AL; Grant Contract 2018/395-785)
INCA njofton fituesit e grantit në kuadër të Programit të Mini-Granteve “Ndërtimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për advokim dhe pjesëmarrje publike në proceset vendimmarrëse mbi përdorimin dhe menaxhimin e burimeve natyrore"
Thirrja për propozime për Programin e Grantit të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri” u shpall në periudhën nga 11 Nëntor deri në 11 Dhjetor 2018 me një shtyerje të afatit përfundimtar deri me 21 Dhjetor 2018.Thirrja ishte drejtuar kryesisht për organizatat mjedisore të shoqerisë civile në nivel lokal pranë zonave pilote që projekti merrte në konsideratë: Parku Kombëtar "Divjakë-Karavasta", Parku Kombëtar "Shebenik-Jabllanicë", Parkun Natyror Kune Vain si dhe zona e Porto Palermos.
Pas procesit të aplikimit, propozimet u vlerësuan dhe procesi vazhdoi me përzgjedhjen e OMSHC-ve përfituese të grantit:
- OMSHC: AGRIEN në partneritet me ALBNATYRA - Titutlli i projektit: "Advokim dhe promovim i Parkut Kombëtar "Shebenik-Jabllanicë" për një përdorim të qëndrueshem të burimeve natyrore", Librazhd.
- OMSHC: Klubi Ekologjik Lezhë - Titutlli i projektit: "Promovimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore të ekosistemit të Rezervatit Natyror Kune Vain".
- OMSHC: PPNE - Vlorë - Titulli i projektit "Forcimi i kapaciteteve të organizatave lokale për mbrojtjen e mjedisit dhe advokacinë për shpalljen zonë e mbrojtur detare të Porto Palermos".
- OMSHC: Horizont EU në partneritet me MEN, Divjakë - Titulli i projektit "Advokimi për zhvillim të qëndrueshem duke respektuar mjedisin".
Qëllimi i Programit të Grantit “Ndërtimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për advokim dhe pjesëmarrje publike në proceset vendimmarrëse mbi përdorimin dhe menaxhimin e burimeve natyrore" është të ngrejë kapacitetet, rrisë njohuritë dhe aftësitë teknike të OMShC-ve për të zgjeruar angazhimin e tyre në aktivitetet e advokimit në nivel kombëtar dhe veçanërisht lokal në zonat pilote të përzgjedhura si dhe të marrin pjesë aktive në proceset vendimmarrëse lidhur me ruajtjen dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura. OMShC-të përfituese do ti bashkohen një rrjeti kombëtar së bashku me partnerët e projektit, ndërsa do të marrin pjesë aktivisht në aktivitetet kryesore të projektit.
Projekti “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri” po zbatohet nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Projekti synon të rrisë dhe fuqizojë aftësitë dhe rolin aktiv të Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMSHC) në zbatueshmërinë e legjislacionit, në luftën kundër korrupsionit dhe minimizimin e ndikimeve negative në mirëmenaxhimin e burimeve natyrore dhe zonave të mbrojtuara; të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet OMSHC-ve dhe autoriteteve publike, komuniteteve lokale dhe mediave, si dhe të nxisë rrjetëzimin dhe ndërtimin e partneritetit mes tyre. Projekti merr në konsiderate 4 zona pilote: Parkun Kombëtar "Divjakë-Karavasta", Parkun Kombëtar "Shebenik-Jabllanicë", Parkun Natyror Kune Vain si dhe zonën e Porto Palermos.
Projekti financohet nga Komisioni Europian në kuadër të programit “Mbështetje për kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile”
Për informacion shtesë jeni të lirë të kontaktoni:
Email: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
Shënim për botuesit:
INCA
Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) është një OJQ e krijuar në korrik 2000, me qendër në Tiranë por që punon në të gjithë vendin dhe në rajon nëpërmjet organizatave partnere. Qëllimi kryesor i INCA është lehtësimi i ngritjes së kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimeve dhe proceseve me pjesëmarrje, ruajtja e natyrës dhe mbrojtja e florës dhe faunës në Shqipëri, mbështetja e zhvillimit rural. Ajo fokusohet në vlerësimin e biodiversitetit, zonat e mbrojtura dhe menaxhimin e baseneve të lumenjve dhe zbaton projekte në Shqipëri dhe në kontekst ndërkufitar. INCA është anëtar i IUCN dhe Forumit Global të Ujit (GWP) dhe përfaqëson WWF në Shqipëri. Që prej prillit 2013 INCA drejton Rrjetin për Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri.
IUCN
IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) është organizata mjedisore më e vjetër dhe më e madhe në botë, me më shumë se 1200 qeveri dhe OJQ anëtare dhe rreth 11’000 ekspertë vullnetare në mbi 160 vende. Zyra e IUCN-së për Evropën mbulon kontinentin Evropian, Rusinë dhe Azinë qendrore dhe vendet e Bashkimit Evropian përtej detit. Zyra e IUCN për Evropën Juglindore (IUCN SEE) nxit përmirësimin e qeverisjes së burimeve natyrore dhe biodiveristetit dhe mbështet nismat për ruajtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e ekosistemeve për mirëqenien e njerëzve. Duke punuar bashkërisht me anëtaret e IUCN dhe Komisionet ajo harton politikat rajonale dhe mbështet dy iniciativa kryesore: Nismën e Harkut Dinarik dhe Brezin e Gjelbër të Evropës.
www.iucn.org/southeasterneurope