Organizohet ceremonia përmbyllëse e projektit “Të mbështesim propozimin e Rezervës së Biosferës..."
Në kuadër të projektit “Të mbështesim propozimin e Rezervës së Biosferës Ndërkufitare të zonës së Liqenit të Shkodrës, nëpërmjet metodave të pjesëmarrjes”, pjesë e programit IPA ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi (2007-2013), i financuar nga Bashkimi Europian, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) dhe Shoqata Green Home në Malin e Zi, në partneritet me Forumin Ndërkufitar të Liqenit të Shkodrës, organizuan ceremoninë përmbyllëse të këtij projekti. Koncepti i Rezervës së Biosferës, si një kategori zhvillimi të qëndrueshëm dhe mbrojtje të natyrës nga UNESCO, është një realitet tepër atraktiv sot me 580 zonat e njohura tashme në 114 vende në mbarë botën: dhe mbi të gjitha me një komunitet gjithnjë e më të madh specialistësh, shkencëtarësh, menaxherësh dhe komunitetesh lokale, që janë çdo ditë dëshmitarë të tyre. Rëndësi dhe domethënie kanë marrë së fundmi edhe zonat ndërkufitare ku konceptet dhe kriteret e rezervës së biosferës gjejnë zbatim më mirë.
Ndër arritjet kryesore të projektit sipas aktiviteteve mund të numërohen;
•Eshtë krijuar Grupi i Punës për Rezervatin e Biosferës së Liqenit të Shkodrës si në Shqipëri ashtu edhe në Mal të Zi.
•Anëtaret e grupit të punës kanë firmosur një Memorandum Mirëkuptimi me qëllimin për të mbështetur përpjekjet për shpalljen e liqenit të Shkodrës si një Rezervat Ndërkufitar Biosfere (RNB).
•Një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të projektit është firmosur midis INCA-s dhe Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.
•Eshtë krijuar Komiteti Drejtues me përfaqësues nga anetarët e të dy grupeve të punës dhe vazhdon të funksionojë me takime periodike (deri me tash janë kryer 4 takime).
•Janë organizuar 4 takime të Grupit të Përbashkët të Punës ku janë diskutuar progresi i projektit, proçedurat që duhen ndjekur për shpalljen e Liqenit si RNB si dhe aktivitete të tjera të përbashkëta për të ardhmen.
•Ka përfunduar studimi bazë në shërbim të proçedurave për aplikim pranë UNESCO-s për shpalljen e Liqenit të Shkodrës si Rezervat Ndërkufitar i Biospherës. Studimi jep një informacion të plotë si dhe planin e aktiviteteve dhe proçedurave që duhen ndjekur për shpalljen e Liqenit të Shkodrës si një RNB.
•Eshtë përgatitur manuali trajnimit në tre gjuhë me ndihmën e një eksperti të huaj si një nga dokumentet më të rëndësishëm në aspektin e ngritjes së kapaciteteve në kuadër të objektivit që ka ky projekt.
Manuali është i ndarë në dy pjesë: në pjesën e parë prezantohet Programi “Njeriu dhe Biosfera” dhe pjesa e dytë e manualit është e strukturuar në 6 seksione të cilat i referohen koncepteve kryesore operacionale 1. Ndarja e vizioneve; 2. Hartimi i skenarëve; 3. Zonimi, 4. Financimi i një RNB; 5. Komunikimi; 6. Praktikat më të mira.
•Eshtë organizuar kursi i trajnimit “Drejt shpalljes së Liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosfere Ndërkufitare” me një program trajnimi 6-ditor i cili u zhvillua në dy sesione: një Trajnim Teknik tre ditor Shkodër dhe një Trajnim Shkëmbim Informacioni (tre ditor) në Podgoricë. Në përfundim të programit të trajnimit, aplikantët u pajisën edhe me një çertifikate të njohur dhe sigluar nga UNESCO.
•Përveç marrjes së informacionit të përgjithshëm një pyetesor i plotë është shpërnadrë tek anëtarët e grupit të punës dhe aktorë të tjerë, dhe një tjetër do të shpërndahet pas aktivitetit trajnues në përfundim me qëllim vlerësimin e impaktit të projektit.
•Janë kryer takime me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Kryetarin e Këshillit të Qarkut Shkodër si dhe Sekretariatin e UNESCO-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
•Eshtë zhvilluar një konferencë për shtyp në sallën e Qëndrës së Informacionit të BE-së në Shkodër.
•Në televizionin lokal TV1 Channel, është organizuar një program talk-show mbi projektin.