Filloi hartëzimi i shtigjeve në ZMD Karaburun-Sazan
Karaburun, 31 Korrik 2015
INCA në bashkëpunim me AdZM Vlorë, ekspertë dhe guida profesionale kombëtare, filluan hartëzimin e shtegut tokësor nga Orikumi në Gjirin e Bristanit në Karaburun. Ky aktivitet po kryhet në kuadër të zbatimit të Projektit të Granteve të Vogla, pjesë e projektit të SEA-Med. Shtegu është rreth 8 km i gjatë, dhe fillon nga pjesa lindore e Gadishullit të Karaburunit, pranë bazës ushtarake Pashaliman, duke përfunduar deri te një nga gjiret më të bukura perëndimore të gadishullit, Gjirin e Bristanit. Ndjekja e këtij shtegu nga turistët dhe dashamirësit e natyrës mund të kryhet në jo më shumë se tre orë në këmbë. Nga ekipi i ekspertëve do të propozohen tre shtigje dhe do të vendoset edhe infrastruktura e duhur dhe tabela informacioni.
Iniciativa e Granteve të Vogla është një grant nga WWF dhe UNDP. Fokusi kryesor i tij është mbështetja e bisneseve turistike të bazuara në natyrë të cilat veprojnë brënda parkut me infrastrukturë të qëndrueshme dhe eko-miqësore.