Ekspozitë artistike “Një ditë në Parkun Tim!”
- Broshura PDF: Shiko dokumentin
Orikum, 29 Prill 2016 – Në ambientet e Qendrës Administrative Orikum, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri dhe AdZM Vlorë në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare "Balil Pelari", Orikum, zhvilluan ekspozitën me punime artistike “Një ditë në Parkun Tim!”.
Ekspozita me krijimet artistike të fëmijëve të kësaj shkolle, mbledh përfaqësues të pushtetit qëndror e lokal, shkollës dhe komunitetit, për të inkurajuar, mbështetur dhe promovuar vlerat natyrore, historike dhe kulturore të zonës.
Ekspozita artistike është pjesë e fushatës ndërgjegjësuese dhe edukuese të ndërmarrë nga INCA në bashkëpunim me AdZM Vlorë dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare Orikum, për të përmirësuar dhe rritur nivelin e ndërgjegjësimit dhe edukimit mjedisor për Zonën e Mbrojtur Detare Karaburun-Sazan dhe për të inkurajuar ruajtjen dhe promovimin e vlerave të zonës në brezin e ri.
Programi i edukimit dhe ndërgjegjësimit vendos në fokus Parkun Kombëtar Detar me vlerat natyrore dhe historike të tij, si Parkun Arkeologjik të Orikut, Lagunën e Orikumit, Qendrën e Peshkimit dhe Aktivitetet eko-turistike Radhimë, të cilat janë pjesë e rëndësishme e vlerave turistike të zonës.
Ky program edukimi dhe ndërgjegjësimi është zbatuar në tre faza kryesore: stafi i AdZM Vlorë është trajnuar dhe ka marrë instruksione praktike mbi edukimin, ka zhvilluar një vizite studimore në terren me fëmijët e shkollës 9-vjeçare "Balil Pelari", Orikum, gjatë së cilës stafi ka ndarë me nxënësit informacionin mbi natyrën dhe eksperiencën e ruajtjes dhe promovimit të parkut detar dhe zonave përreth. Faza e tretë dhe përmbyllëse përkon me çeljen e ekspozitës artistike, gjatë së cilës fëmijët nëpërmjet krijimeve artistike shpalosën vlerat natyrore dhe artistike të zonës.
Këto aktivitete mbështeten në kuadër të projektit “Aktivitete të Qëndrueshme Ekonomike në Zonat e Mbrojtura Detare të Mesdheut – Shqipëria” i cili ka në fokus kryesor promovimin e turizmit të qëndrueshëm në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan.