Aktivitete sensibilizuese me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, 2011
Kombet e Bashkuara e shpallën 22 Majin si Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit për të rritur ndërgjegjësimin dhe përmirësuar vlerësimin e çështjeve të biodiversitetit. Fillimisht, në fund të vitit 1993, Komiteti i Dytë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shpalli si Ditë Ndërkombëtare të Biodiversitetit 29 Dhjetorin, ditën e hyrjes në fuqi të konventës së biodiversitetit. Në dhjetor 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 22 Majin si Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit, për të kujtuar miratimin e tekstit të konventës në 22 Maj 1992 nga Akti
Final i Konferencës së Najrobit për Miratimin e tekstit të Konventës së Biodiversitetit. Kjo u bë edhe për shkak të vështirësive që patën një sërë vendesh për të festuar më 29 dhjetor si pasojë e kalendarit të ngjeshur të festave të fund vitit.
Kombet e Bashkuara kanë deklaruar vitin 2011 si Viti Ndërkombëtar i Pyjeve, dhe po ashtu kanë zgjedhur pyjet si temë qendrore të Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit në 22 Maj 2011. Në këtë vit të veçantë, Forumi i Kombeve të Bashkuara për Pyjet dhe sekretariati i Konventës së Diversitetit Biologjik po punojnë së bashku për të theksuar rëndësinë e biodiversitetit pyjor për njerëzimin. Tema e Vitit Ndërkombëtar të Pyjeve është “Pylli për njerëzit”, çka nënvizon rolin kryesor të njerëzve në menaxhimin, ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore.
Pyjet përmbajnë disa nga ekosistemet më me vlerë të planetit tonë ku përfshihen një larmi e madhe shpendësh, kafshësh, dhe bimësh. Pyjet janë burimi i më se 5000 produkteve duke filluar nga esencat eterovajore, tek bimët mjekësore, drutë e zjarrit, ushqimi, mobiliet, etj; ato parandalojnë erozionin dhe ndihmojnë në rregullimin e klimës; ato sigurojnë ujë të pijshëm; ato frymëzojnë artistët dhe shkencëtaret, dhe janë thelbësore për mbijetesën dhe mirëqenien njerëzve kudo në botë.
Megjithatë, pyjet përballen me presione dhe sfida të paimagjinueshme. Rezultatet kryesore nga Vlerësimi Global i Burimeve Pyjore 2010, tregojnë se edhe pse ritmi i shpyllëzimeve është ulur disi vitet e fundit, krahasuar me vitet 1990, ai është ende në nivele alarmante. Shpyllëzimet kane rezultuar në shtim të emetimeve të karbonit, pakësim të sasisë së ujit dhe ushqimeve, dhe humbje të paprecedentë të biodiversitetit. Qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë aktorët e interesuar janë duke ndërmarrë veprime për të gjetur mënyra për të ruajtur dhe menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme burimet pyjore, për të mirën e brezave të sotëm dhe të ardhshëm.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në bashkëpunim me Forumin Ndërkufitar të Liqenit të Shkodrës, në kuadër të projektit “Mbështetja e propozimit për shpalljen e zonës së Liqenit të Shkodrës si “Rezervë Biosfere Ndërkufitare”, organizuan një konferencë për shtyp mbi vlerat dhe rëndësinë e liqenit të Shkodrës për ruajtjen e biodiversitetit dhe masat që duhen ndërmarrë për mirë menaxhimin e kësaj pasurie të çmuar.