Informacion i Përgjithshëm mbi Projektin "Fuqizimi i OMSHC-ve për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri"

Informacion i Përgjithshëm mbi Projektin "Fuqizimi i OMSHC-ve për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri"

Titulli i projektit: Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Programi IPA për Shoqërinë Civile dhe Median 2016 – 2017, “Mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile”

Koncepti i projektit

Megjithëse Shqipëria ka një diversitet të lartë biologjik (që përmban rreth 30% të florës evropiane), biodiversiteti po vuan dëme të mëdha në vitet e fundit dhe në shumë raste të pakthyeshme si në rastin e HEC-eve, guroreve, ndërtimit të infrastrukturës etj.,të cilët kanë ndikuar seriozisht në habitatet e specieve të rrezikuara dhe atyre të rrezikuara në mënyrë kritike. Natyra në Shqipëri është shumë e fragmentuar dhe e paaftë për të reaguar në mënyrë efektive ndaj presioneve të reja dhe kërcënimeve të vazhdueshme duke përfshirë prerjet ilegale, peshkimin, gjuetinë, turizmin e pakontrolluar dhe aktivitetet rekreative, erozionin bregdetar, zjarret, ndikimet e ndryshimeve klimatike, zbatimin e dobët të ligjit dhe qasjet e paefektshme të menaxhimit në praktikë. Përfshirja e komuniteteve lokale në menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe burimet lokale të natyrës është e pamjaftueshme. Kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikës së mjedisit dhe ruajtjes së natyrës dhe lehtësisht çon në konflikte dhe keqkuptime të panevojshme.

Shkaqet e korrupsionit në sektorin e mjedisit sidomos në ruajtjen e natyrës dhe përdorimin e qëndrueshëm përfshijnë shkaqet tipike që i atribuohen çdo sektori tjetër: legjislacioni i pamjaftueshëm, mungesa e respektit për sundimin e ligjit, demokracia e dobët, autoritet i gjerë që u jepet zyrtarëve publikë, përgjegjësia minimale dhe transparenca, zbatimit të dobët, niveleve të ulëta të profesionalizmit dhe stimujve të mbapshtë. Përveç kësaj, korrupsioni në sektorin e mjedisit është shkaktuar edhe nga konfliktet midis interesave private në të ardhura që mund të fitohen nga burimet mjedisore dhe interesat publike për një mjedis të shëndetshëm. Kjo situatë përkeqësohet me vendim-marrje jo transparente që përjashton zërat e qytetarëve, duke çuar në zhvillime jo të qëndrueshme që dëmtojnë mjedisin.

Në këtë kontekst, projekti i titulluar: “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri” synon të përmirësojë menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit, sidomos aseteve natyrore në 4 zona të mbrojtura, duke nxitur një qeverisje pjesëmarrëse dhe transparente duke përfshirë shoqërinë civile mjedisore të mbështetur nga autoritetet publike dhe media.

Projekti ka filluar zyrtarisht më 1 maj 2018 dhe ka një kohëzgjatje prej 36 muajsh. Ai përfshin dy organizata joqeveritare, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe një Institucion Publik si partner shoqërues: Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) është udhëheqësi i projektit; Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) është bashkë-partneri në këtë projekt dhe do të ofrojë mbështetje teknike këshillimore për zbatimin e tij. Partneri i asociuar është Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. AKZM do të mbështesë dhe lehtësojë komunikimin e projektit me institucionet publike dhe do të përfitojë nga ngritja e kapaciteteve të këtij projekti për të punuar ne nivel rajonal me Agjencitë Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdRZM) në katër zonat pilote.

Objektivat e projektit

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të mbështesë punën e advokimit të OMSHC-ve për të promovuar mbrojtjen e mjedisit, luftën kundër korrupsionit në mjedis dhe ndryshimin e klimës, të rrisë të drejtën për informacion mbi procesin e vendimmarrjes që prek mjedisin.

Objektivi specifik:

  • Të rrisë dhe fuqizojë aftësitë dhe rolin aktiv të Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMSHC-ve) për të zbatuar ligjin, për të luftuar korrupsionin dhe për të zvogëluar ndikimet negative në menaxhimin e natyrës dhe menaxhimin e zonës së mbrojtur.
  • Të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet OMSHC-ve dhe autoriteteve publike, komuniteteve lokale dhe mediave dhe të nxisë rrjetëzimin dhe ndërtimin e partneritetit mes tyre.

Arritja e këtij objektivi do të ndërtohet në zbatimin me sukses të katër rezultateve të pritura që synojnë:

  1. Ndërtimi i kapaciteteve;
  2. Përmirësimi i kuadrit rregullator;
  3. Pjesëmarrja aktive;
  4. Rritja e ndërgjegjësimit;

Palët kryesore të interesit dhe grupet e synuara në këtë proces përfshijnë

(i) organizatat mjedisore të shoqërisë civile,

(ii) autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e natyrës, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe menaxhimin e ZM-ve në të gjitha nivelet e qeverisjes,

(iii) sektori privat,

(iv) komunitetet lokale ku janë vendosur ZM-të e synuara dhe

(v) mediat lokale dhe kombëtare.

Skema e Minigranteve për OMSHC-të

Në kuadër të Projektit, ndërtimi i kapaciteteve të Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMSHC) nga Shqipëria është planifikuar të bëhet edhe përmes dhënies së granteve OMSHC-ve. Një nga komponentet më kryesore të projektit është Programi i Granteve “Ndërtimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për advokim dhe pjesëmarrje publike në proceset vendimmarrëse mbi përdorimin dhe menaxhimin e burimeve natyrore". Konkretisht janë mbështetur OMSHC-të apo grupime OMSHC-së në 4 zona pilote të projektit. Rrjedhimisht, OMSHC-të përfituese të përzgjedhura do të rrisin njohuritë, aftësitë dhe kapacitetet e tyre për të zgjeruar angazhimin në aktivitetet e advokimit në nivel kombëtar dhe veçanërisht lokal në zonat pilote të përzgjedhura dhe të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse lidhur me ruajtjen dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura. OMShC-të përfituese do ti bashkohen një rrjeti kombëtar së bashku me partnerët e projektit, ndërsa do të marrin pjesë aktivisht në aktivitetet kryesore të projektit.

Projekti zbatohet nga:

- Drejtues projekti: Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA)

Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) është një OJQ e krijuar në korrik 2000 me qendër në Tiranë por që punon në të gjithë vendin dhe në rajon nëpërmjet organizatave partnere. Qëllimi kryesor i INCA-s është lehtësimi i ngritjes së kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimeve dhe proceseve me pjesëmarrje, ruajtja e natyrës dhe mbrojtja e florës dhe faunës në Shqipëri si dhe mbështetja e zhvillimit rural. Ajo fokusohet në vlerësimin e biodiversitetit, zonat e mbrojtura dhe menaxhimin e baseneve të lumenjve dhe zbaton projekte në Shqipëri dhe në kontekst ndërkufitar. INCA është anëtar i IUCN dhe Forumit Global të Ujit (GWP) dhe përfaqëson WWF në Shqipëri. Që prej prillit 2013 INCA drejton Rrjetin për Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri. http://ww.inca-al.org/

- Partner në zbatimin e projekti:Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN)

IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) është organizata mjedisore më e vjetër dhe më e madhe në botë, me më shumë se 1200 qeveri dhe OJQ anëtare dhe rreth 11’000 ekspertë vullnetare në mbi 160 vende. Është një nga ofruesit kryesor të të dhënave të ruajtjes, vlerësimeve dhe analizave të burimeve natyrore. Anëtarësimi i saj i gjerë i mundëson IUCN të plotësojë rolin e inkubatorit dhe deponimin e besuar të praktikave më të mira, mjeteve dhe standardeve ndërkombëtare. IUCN siguron një hapësirë neutrale në të cilën aktorët e ndryshëm përfshirë qeveritë, OJQ-të, shkencëtarët, bizneset, komunitetet lokale, organizatat e popujve indigjenë dhe të tjerët mund të punojnë së bashku për të krijuar dhe zbatuar zgjidhje për sfidat mjedisore dhe për të arritur zhvillim të qëndrueshëm. Duke punuar me shumë partnerë dhe mbështetës, IUCN zbaton një portofol të madh dhe të ndryshëm të projekteve të ruajtjes në të gjithë botën. Kombinimi i shkencës së fundit me njohuritë tradicionale të komuniteteve lokale, këto projekte punojnë për të ndryshuar humbjen e habitatit, për të rivendosur ekosistemet dhe për të përmirësuar mirëqenien e njerëzve. https://www.iucn.org/ecaro

- Partneri i asociuar: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mrojtura (AKZM)

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është institucioni kryesor shtetëror përgjegjës për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit në Shqipëri. Misioni i saj kryesor është të kujdeset për burimet natyrore në Shqipëri nëpërmjet menaxhimit të rrjetit të zonave të mbrojtura dhe promovimit të vlerave të tyre duke ndërmarrë ndërgjegjësimin e publikut dhe aktivitetet e edukimit mjedisor dhe duke mbështetur aktivitete të qëndrueshme socio-ekonomike brenda zonave të mbrojtura. http://akzm.gov.al/