Enjte, 13 Gusht 2020
Login | Mail

INSTITUTI PËR RUAJTJEN E NATYRËS NË SHQIPËRI

Njoftime

Ekosistem Inovativ të menaxhimit të mbetjeve

01 Korrik 2020

Bashkëpunimi i 4 vendeve të rajonit për krijimin e një Ekosistemi Inovativ të menaxhimit të mbetjeve - Projekti S.W.A.N, i...

Udhëzime për të kontribuar në Ditarin e Natyrës

09 Qershor 2020

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri mirëpret artikuj të ndryshëm të cilët ju dëshironi t’i publikoni në Ditarin e...

Fuqizimi i kontributit të sektorit të shoqërisë civile në negociatat për anëtarësimin në BE për Kapitullin 27

27 Maj 2020

Fuqizimi i kontributit të sektorit të shoqërisë civile në negociatat për anëtarësimin në BE për Kapitullin 27” Hyrje Rrugëtimi...

Thirrje shkollave për veprim

18 Dhjetor 2019

“Thirrje shkollave për veprim” është nisma e projektit ACAP drejtuar për të gjitha shkollat e rrethit të Vlorës, Beratit dhe...

ipa

                         csm logo 0c8a4cdd39          blueland
     ProjektiAdvokacise

Na kontaktoni

facebookwebmailgooglemap
logoTë nderuar vizitorë! Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) kërkon të japë kontributin e tij modest në përpjekjet dhe aktivitetet që zhvillohen për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit në vendin tonë, e më gjerë në rajon. Ne jemi të kënaqur që ju zgjodhët për të vizituar faqen tonë dhe jeni të mirëpritur të na kontaktoni, për çdo koment ose sugjerim qe lidhet me përmirësimin e informacionit të dhëne në këtë faqe. Faleminderit dhe punë të mbarë!

Zonat e mbrojtura dhe COVID 19

Zonat e mbrojtura dhe COVID 19 - 

Pandemia nga Covid 19 po ndikon dramatikisht mbi komunitetin mbarëbotëror; mbi jetën dhe shëndetin e njerëzve, mënyrën e jetesës, ekonominë dhe përqasjen tonë ndaj tyre. Ndikimet e kësaj ngjarjeje të pa precedent dhe masave të ndërmarra në përgjigje të saj janë shumë të thella. Ato ngrenë disa pyetje themelore mbi mënyrën se si njerëzimi ndikon mbi natyrën, p.sh., nëpërmjet shkatërrimit të ekosistemeve, konsumit të papërgjegjshëm të kafshëve të egra apo tregtisë së paligjshme të kafshëve.

Një grup ekspertësh nga e gjithë bota, të drejtuar nga prof.Marc Hockings, ka shqyrtuar ndikimin e Covid 19 mbi zonat e mbrojtura dhe gjetjet e tyre janë publikuar në revistën PARKS[1] (Maj 2020[2]). Mesazhi kryesor i këtij artikulli thekson vlerën që kanë zonat e mbrojtura në jetën e përditshme të njerëzve dhe rëndësinë e tyre globale në përballimin e situatës së koronavirusit. Artikulli komenton se si sistemet efektivisht të menaxhuara të zonave të mbrojtura duhet të jenë pjesë e përgjigjes ndaj pandemisë, çka ul shanset për ripërsëritjen e një ngjarjeje të tillë dhe ndërton një të ardhme më të qëndrueshme për njerëzit dhe natyrën.

Tashmë është e ditur që shfrytëzimi i llojeve të egra, shpyllëzimet, zgjerimi i pa kontrolluar dhe intensifikimi i bujqësisë dhe zhvillimi i infrastrukturës kanë rritur dhe modifikuar përplasjen midis njerëzimit dhe natyrës së egër, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për përhapjen e sëmundjeve nga kafshët tek njerëzit. Sëmundjet zoonotike – sëmundje që rrjedhin nga kafshët dhe transmetohen tek njerëzit – kanë më shumë gjasë të shndërrohen në epidemi apo pandemi për shkak të shoqërisë sonë globaliste e sistemeve jashtëzakonisht të ndërlidhura të transportit.

Ruajtja e integritetit ekologjik të natyrës nëpërmjet zonave të mbrojtura është thelbësore për të ndaluar humbjen e biodiversitetit dhe mund të kontribuojë në uljen e rrezikut të përhapjes së sëmundjeve zoonotike. Zonat e mbrojtura mbrojnë natyrën ndërkohë që prodhojnë ujë të pastër e ushqim, reduktojnë rrezikun e katastrofave, ndihmojnë në zbutjen dhe përshtatjen ndaj efekteve të ndryshimeve të klimës, dhe sigurojnë një numër të madh vlerash kulturore, shpirtërore e shëndetsore. Rrjetet e mirë konceptuara e të menaxhuara të zonave të mbrojtura ndihmojnë në ruajtjen të pa prekur të habitateve natyrore dhe integritetit ekologjik. Megjithë pranimin në rritje të këtyre përfitimeve, zonat e mbrojtura shpesh nënvlerësohen dhe nuk mbështeten sa duhet nëpërmjet politikave dhe burimeve të nevojshme për ruajtjen efektive të tyre.

Gjendja e shkaktuar nga përhapja e Covid 19 ka prekur negativisht edhe zonat e mbrojtura dhe jetesën e komuniteteve që jetojnë brenda apo pranë këtyre zonave.

Në gjithë botën, kolapsi i turizmit ndërkombëtar dhe kombëtar nënkupton humbjen e vendeve të punës, shkurtimin e pagave dhe zhdukjen e të ardhurave e përfitimeve. Turizmi me bazë natyrën apo jetën e egër është një kontribues kryesor në ekonominë e shumë vendeve të botës. Para pandemisë, ekspertët vlerësojnë që zonat e mbrojtura prisnin rreth tetë milion vizitorë në vit, të cilët gjeneronin rreth 600 miliardë dollarë në vit në shpenzime brenda zonave të mbrojtura. Në 2019, vlerësohet që vlera direkte e turizmit me bazë kafshët e egra shkon në 120 miliardë dollarë apo 346 miliardë nëse konsiderojmë efektet shumëfishuese, si dhe u krijuan 21.8 milionë vende pune. Të gjitha këto të ardhura praktikisht nuk janë më si pasojë e Covid 19.

Rreziqet e varësisë nga turizmi ndërkombëtar për të mbështetur ruajtjen e natyrës janë të njohura prej kohësh, dhe ka disa lëvizje që mbështesin komunitetet të bëhen më të qëndrueshëm dhe më pak të varur nga ky burim të ardhurash. Megjithatë, për zonat e mbrojtura që mbështeten ndjeshëm në këtë lloj të ardhurash, pandemia ka nxjerrë në pah këtë pikë të dobët të tyre dhe ka treguar që edhe ekonomitë lokale do të preken njëlloj.

Zonat e mbrojtura janë ndikuar negativisht edhe në shumë mënyra të tjera. Efektiviteti i menaxhimit është ulur si pasojë e shkurtimeve në buxhet dhe personel. Aftësia operative e shumë zonave të mbrojtura është prekur në nivele të ndryshme nga Covid 19, pasi shumë vende po fillojnë të ndjejnë tani ndikimet e përhapjes së virusit në mbarë botën. Shpesh, përgjigja më e shpejtë është reduktimi i aktivitetit të stafit dhe i shërbimeve kryesore të menaxhimit, përfshirë patrullimin e rejnxhersave. Në vendet ku të ardhurat e turizmit kontribuojnë direkt në pagesat e stafit, është reduktuar numri i rejnxhersave dhe operacioneve në terren, çka sjell reduktim të aftësive ligjzbatuese dhe shtyrje apo eleminim të aktiviteteve rutinë të monitorimit dhe menaxhimit. Kufizimet në udhëtim, vështirësojnë punën e rejnxhersave, të cilët nuk kanë mundësi të dalin në terren.

Zonat e mbrojtura sigurojnë të ardhura edhe për familjet dhe komunitetin përreth tyre, të cilët marrin një pjesë të të ardhurave të gjeneruara nga sektori i turizmit. Edhe ky burim i rëndësishëm të ardhurash është goditur ndjeshëm nga situata e Covid 19. Shumë komunitete të vogla e të margjinalizuara rurale, të ardhurat e të cilëve varen shumë nga puna në sektorin e turizmit, rrezikojnë të humbin punën dhe të ardhurat. Humbja e këtyre të ardhurave nuk parashikohet të jetë për një kohë të shkurtër. Një studim nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve dhe Global Rescue thekson se koha e nevojshme për rekuperimin ekonomik të sektorit të turizmit pas përhapjes së sëmundjeve është mesatarisht 19.4 muaj.

Komunitetet lokale që varen nga zonat e mbrojtura mund të shohin ekonominë e tyre të shkërmoqet duke kërcënuar mënyrën e tyre të jetesës. Mbylljet dhe kufizimet e udhëtimeve, bashkë me reduktimin e punësimit dhe mundësive për të siguruar jetesën, do të bëjnë që komunitetet të kthejnë sytë nga natyra për të siguruar mbijetesën, çka mund të çojë në mbi përdorim të burimeve natyrore. Kjo shton presionin mbi ekosistemet dhe biodiversitetin. Raportet e ndryshme të shtimit të numrit të rasteve të gjuetisë së paligjshme (për përdorim vetjak apo për tregti) apo të shfrytëzimit të burimeve natyrore konfirmojnë këtë shqetësim. Të gjitha këto minojnë funksionimin e ekosistemeve dhe sigurimin e shërbimeve që ato ofrojnë, duke shtuar ndikimet negative mbi njerëzimin.

Shumë vende po krijojnë deficit të madh financiar për të mbështetur popullsinë dhe bizneset, të cilët kanë mbyllur aktivitetet e tyre si pasojë e përhapjes së Covid 19. Si pasojë e këtyrë ndryshimeve radikale në buxhet, qeveritë po rishohin prioritetet e shpenzimit të parave publike. Në disa vende, buxhetet operative për sektorin e mjedisit po ri-alokohen për përballimin e pandemisë

Duke u përpjekur të rigjallërojnë ekonominë në një botë pas Covid 19, qeveritë po konsiderojnë uljen e standardeve mjedisore, çka mund të përkthehet në lejimin apo zgjerimin e industrive nxjerrëse dhe ndërtimin e infrastrukturës brenda zonave të mbrojtura. Përpjekje po bëhen edhe për të ndryshuar ligjërisht nivelin e mbrojtjes apo sipërfaqet e zonave të mbrojtura, madje edhe për të eleminuar zona të tëra nga harta e zonave të mbrojtura. Këto përpjekje nxisin shpyllëzimet, fragmentimin dhe prishjen e ekosistemeve duke u kthyer në faktor të madh rreziku për shfaqjen e sëmundjeve infektive zoonotike.

Pandemia e Covid 19 ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për ndryshimin e marrëdhënies midis njeriut dhe mjedisit natyror, veçanërisht me zonat e mbrojtura. E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt të ardhmes është ndërtimi i një marrëdhënieje të re e të ndryshme me natyrën. Sipas këtij skenari, pandemia do të çojë në ndryshime thelbësore të mënyrës se si njerëzimi percepton planetin dhe marrëdhënien e tij me natyrën. Çdo përgjigje ndaj kësaj pandemie duhet të marrë parasysh parimet e mëposhtme:
  • Parimi 1: COVID-19 është një simptomë e krizës së madhe mjedisore që vjen si pasojë e proceseve të paqëndrueshme ekonomike të cilët çojnë drejt abuzimit me natyrën, përfshirë degradimin dhe fragentimin e ekosistemeve natyrore si dhe tregtinë e rrezikshme të kafshëve të egra. Çdo strategji për përballimin e pandemisë duhet të adresojë të gjitha aspektet e këtij degradimi mjedisor dhe të përfshijë mekanizma që kontribojnë në luftën ndaj tyre, si p.sh., rrjetet efektive dhe të mirë-menaxhuara të zonave të mbrojtura.
  • Parimi 2: Bota duhet të angazhohet dhe të veprojë për të patur një planet të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Kjo kërkon një përqasje që kalon përtej ndërveprimit njerëz-kafshë-ekosisteme duke synuar që komuniteti botëror ta kthejë ruajtjen e natyrës në pjesë qëndrore të përgjegjësive të tij. Përgjigja e integruar nga të gjithë sektorët – mjedis, shëndetësi, financë, ushqim, biznese dhe shoqëri civile – duhet të kthehet në normë si tani dhe në të ardhmen.
  • Parimi 3: Zonat e Mbrojtura sigurojnë një gamë të gjerë përfitimesh për shoqërinë, por këto janë tashmë nën një stres të madh si pasojë e përgjigjes së shoqërisë sonë ndaj Covid 19. Zonat e mbrojtura ruajnë natyrën, por njëkohësisht na mbrojnë nga rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe sigurojnë mirëqënie, të ardhura, ujë dhe ajër të pastër dhe hapësira të gjelbra për shëndetin mendor e fizik të secilit prej nesh. Megjithatë, situata aktuale po shton presionin mbi shumë nga këto zona dhe përgjigja e përbashkët e aktorëve kryesorë në terma afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë do të jetë kritike në përcaktimin e të ardhmes së tyre.
Komuniteti mbarëbotëror duhet të bashkohet nëprocesin e rehabilitimit, rimëkëmbjes dhe ri-ndërtimit e zgjerimit të rrjetit botëror të zonave të mbrojtura. Në këto kohë kritike, duhet të vlerësojmë që rrjetet efektive e të mirë-menaxhuara të zonave të mbrojtura, duke ruajtur integritetin ekologjik të ekosistemeve natyrore, sigurojnë një nga rrugët më të rëndësishme për të rregulluar dhe forcuar marrëdhënien midis njerëzve dhe sistemeve natyrore prej të cilëve ata varen. Natyrisht, zonat e mbrojtura nuk mund të zgjidhin të gjitha problemet e shkaktuara nga Covid 19, por ato ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme.

Pandemia aktuale mund të shkatërrojë dekada përpjekjesh për ruajtjen e natyrës. Por kriza mund të ofrojë edhe mundësi për të ndryshuar përqasjen ekonomike që na ka çuar në këtë gjendje duke farkëtuar politika të gjelbra e gjithë-përfshirëse për një rimëkëmbje të qëndrueshme. Kjo mund të shërbejë për të ndërtuar një të ardhme shumë më të ndritur për këto zona duke shtuar kështu mundësitë për mirëqënien e njerëzimit kudo në botë.

Të gjitha këto përmblidhen në përqasjen One Health (Një Shëndet), e cila përcakton që shëndeti i njerëzve, kafshëve dhe ekosistemeve janë të ndërlidhura. Kjo përqasje e koordinuar, bashkëpunuese, shumëdisiplinore, ndërkufitare e ndërsektoriale do të adresojë rreziqet që vijnë nga ndërveprimi midis kafshëve – njerëzve – ekosistemeve.

Burimi dhe përhapja e sëmundjes mund të çojë më në fund në pranimin dhe zgjidhjen e disa problemeve mjedisore të injoruara prej kohësh. P.sh., ndalimi i tregtisë së rrezikshme të kafshëve të egra do të ulë rrezikun e shfaqjes së zoonozave  të tjera në të ardhmen duke kontribuar një kohësisht në ruajtjen e biodiversitetit.

Gjithashtu, pandemia e ka përqëndruar vëmendjen e botës në lidhjen midis natyrës së shëndetshme dhe shëndetit dhe mirëqënies së njeriut, duke theksuar sa të lidhur jemi ne me natyrën, veçanërisht për shëndetin tonë mendor. Në një botë gjithnjë e më shumë të urbanizuar, parqet dhe zonat e mbrojtura janë e vetmja rrugëdalje drejt natyrës. Natyra ka efekte shëruese tek njerëzit që vuajnë pasojat e izolimit social. Përmirësimi i shëndetit mendor si pasojë e kohës së kaluar në natyrë mund të pëkthehet në përfitime ekonomike (më pak shpenzime kurimi).

Çka është më e rëndësishme, Covid 19 mund ta shtyjë komunitetin botëror të adresojë më me vendosmëri kriza të tjera globale si ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit, duke u përqëndruar në përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura. Tashmë ka njohuri të mjaftueshme shkencore që ndihmojnë në orientimin e investimeve drejt ekosistemeve më të vlefshme për arritjen e njëkohshme të objektivave të ruajtjes së biodiversitetit, sekuestrimit të karbonit dhe rritjes ekonomike.

Mbrojtja e natyrës duhet të shihet si kritike për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe shëndetin e njeriut, dy çështje prioritare që do të dominojnë programin botëror të rimëkëmbjes.
 
[1] Revista PARKS botohet nga Komisioni Botëror për Zonat e Mbrojtura (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës)

Kalendari i Aktiviteteve

« August 2020 »
Mon Tue Wed Thu Fri Sat Sun
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            

Partnerët e INCA-s

 

INCA në Facebook